Qendra e Inovacionit së Sigurisë dhe Mbrojtjes në bashkëpunim me Akademinë e Forcave të Armatosura dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, po zhvillon studimin me temë “Ndërgjegjësimi mbi Sigurinë Kibernetike në Administratën Publike dhe Private në Shqipëri.”
Në kuadër të këtij studimi, Qendra e Inovacionit së Sigurisë dhe Mbrojtjes po organizon tryeza të rrumbullakëta me përfaqësues nga institucione publike dhe private, me qëllim ndarjen e gjetjeve dhe nxitjen e diskutimeve për forcimin e sigurisë digjitale.
Takimi i parë u zhvillua më 26 nëntor, në ambientet e Qendrës së Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me pjesëmarrjen e ekspertëve të Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit theksuan:
· nevojën për programe të strukturuara dhe të vazhdueshme trajnimi në fushën e sigurisë kibernetike;
· forcimin e procedurave të brendshme të sigurisë;
· aplikimin e metodave interaktive dhe praktike të trajnimeve përmes skenarëve realë.
Këto takime përbëjnë një hap të rëndësishëm në rritjen e kulturës së sigurisë kibernetike dhe në forcimin e qëndrueshmërisë digjitale të institucioneve publike dhe private në Shqipëri.